Thaçi e Vuçiqi takohen sot në Bruksel
Me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, sot (e enjte) në Bruksel do të takohen presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë takim presidentët pritet ta konfirmojnë gatishmërinë e tyre për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ish-ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ky takim s’mund të jetë hyrje në fazën finale sepse, sipas saj, Kosova mund të marrë pjesë në finale të dialogut kur Kuvendi e autorizon delegacionin shtetëror.
Edhe Jeta Krasniqi nga KDI-ja ka thënë për gazetën se është problematik fakti që Thaçi merr pjesë në bisedime përderisa Kosova nuk ka një platformë shtetërore për dialogun me Serbinë.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)