Thaçi, edhe pas 20 vjetësh, kishte mbetur ai i luftës: i qëndrueshëm
Mjeku i cili ishte pjesë e ekipit që operoi dje presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Bashkim Gllareva, në “Facebook” ka shkruar disa fjalë për operimin e tij.
“Nuk dija si t’i drejtohesha, bashkëluftëtar apo President. Ai më tha jam si çdo pacient tjetër. Jam Hashimi. Edhe pas 20 vjetësh kishte mbetur ai i luftës, i thjeshtë dhe i qëndrueshëm.
Gjatë luftës ecnim bashkë në veprime kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Ndërkaq sot përjetova momentin më të rëndësishëm dhe u gjenda para përgjegjësisë më të madhe jetësore dhe profesionale. Jam duke qëndruar pranë bashkëluftëtarit, pranë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Është ndjenjë e veçantë, emocion i paharruar”, ka shkruar Gllareva.
Ai ka theksuar se presidenti është trajtuar në Klinikën e Urologjisë në QKUK si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës. “Modestia e tij më bën të ndihem krenar me njeriun e parë të shtetit tim. Jam shumë i lumtur që pas operimit, presidenti me plot humor dhe besim, në këmbët e tij u kthye në shtëpi. Zoti e bekoftë presidentin tonë!”, ka shkruar doktori Gllareva.