Thaçi: Është impresionuese se si Edi Rama po vazhdon ta ndërtojë dhe afirmojë Shqipërinë evropiane
Ish-presidenti Hashim Thaçi në intervistën për Nacionalen dhënë nga Haga, ka folur edhe për vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Thaçi thotë se vizita e Ramës ndodhi në vend dhe rrethana të jashtëzakonshme e të paimagjinueshme, përtej politikës dhe procesit gjyqësor, bisedë krejt vëllazërore.
“Kur erdhëm në Hagë, si pasojë e masave anti-Covid, i kaluam pa asnjë kontakt fizik rreth 9 muaj, madje as me familje. Nuk ishte e lehtë. Vizita e Edit ndodhi në vend dhe rrethana të jashtëzakonshme e të paimagjinueshme, përtej politikës dhe procesit gjyqësor, bisedë krejt vëllazërore. Më kishte marrë malli. Edi lufton dhe zakonisht fiton në kauzën që beson, është impresionuese se si ai po vazhdon të ndërtojë dhe afirmojë Shqipërinë evropiane”, ka theksuar ai.
Thaçi ka treguar se është gëzuar shumë që, pas autorizimit të shefit të paraburgimit, ka pranuar librat që Edi Rama ia kishte sjellë në objektin e paraburgimit të DHSK-së.
“Si zakonisht, ishte me plot humor të mirë. Por, kur u ndamë, e ndjeva se u emocionua shumë, por gjithmonë me besim për të ardhmen më të mirë dhe më të sigurt, përtej hapësirës ku qëndruam duke pirë kafe rreth dy orë”, ka theksuar Thaçi.