Thaçi: Faza e fundit e dialogut, e ndjeshme dhe historike për Kosovën
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se faza e fundit e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces i ndejshëm dhe historik për shtetin tonë.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ky proces do të jetë i hapur dhe transparentë.
Postimi i plotë i Thaçit:
Faza e fundit e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces i ndejshëm dhe historik për Kosovën. Për të gjithë gazetarët, mediumet dhe përmes tyre qytetarët e Kosovës, ky do të jetë një proces i hapur.
Për të rritur transparencën dhe mënjanuar keqkuptimet dhe keqinterpretimet, këtë muaj kam mbajtur konferenca të shpeshta për media, për të dhënë sqarimet e nevojshme.
Dua t’i falënderoj të gjitha mediet dhe gazetarët në Kosovë, që në javën e fundit janë duke përcjellë me profesionalizim procesin e dialogut.
Në këtë bashkëbisedim me gazetarët, gjithmonë mundohem të jem i hapur dhe natyrisht përgjigjem në çdo pyetje dhe dilemë të tyre – që janë të lidhura me dilemat e qytetarëve të Kosovës.
Në konferencën e djeshme u krijua një keqkuptim gjatë bashkëbisedimit që kisha me gazetarin e “Kohes Ditore”, Fitim Gashi.
Unë i kërkoj falje Fitimit dhe të gjithë atyre që kanë mundur të ndihen të fyer gjatë kësaj konference për shtyp, por ky nuk ka qenë dhe asnjëherë nuk do të jetë qëllimi im. Në rrugëtimin tim prej dy dekadave në politikë gjithmonë kam ruajtur respektin për punën e gazetarëve, si një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë.
Unë inkurajoj të gjithë gazetarët që mos të ndalen të zhurmojnë, të pyesin, të ngritin dilema për të gjitha temat që janë të interesit nacional.
/Epoka e re/