Thaçi: Fehmi dhe Xhevë Lladrovci ishin pjesë e formacioneve të para të UÇK-së
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin në 22-vjetorin e rënies heroike të tyre.
Thaçi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebbok”, ka shkruar se Fehmi dhe Xhevë Lladrovci ishin pjesë e formacioneve të para të UÇK-së për organizimin e rezistencës së armatosur dhe figura emblematike të luftës sonë çlirimtare.
“Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, dy prej veprimtarëve më të hershëm të lëvizjes ilegale për liri e pavarësi, ishin Azem dhe Shotë Galica e kohës sonë. Ata ishin pjesë e formacioneve të para të UÇK-së për organizimin e rezistencës së armatosur dhe figura emblematike të luftës sonë çlirimtare. Me krenari e kujtoj çdo moment të angazhimit tonë të përbashkët”.
“Sot, në 22-vjetorin e rënies heroike të Fehmi e Xhevë Lladrovcit dhe bashkëluftëtarëve të tyre, Fatime Hetemit dhe Shefqet Zekës, i kujtojmë dhe nderojmë për vizionin, këmbëngulësinë, vendosmërinë dhe përkushtimin për lirinë e Kosovës, për të cilën sakrifikuan edhe jetën. Fehmi dhe Xhevë Lladrovci ishin të palodhshëm dhe të pathyeshëm në rrugën e lirisë. Kështu i njoha dhe kështu përjetësisht do t’i kujtoj”, ka shkruar Thaçi.
(M.Q / Epoka e re)