Thaçi flet për takimin me ambasadorin Kosnett: Kosova do të mbetet mike e përjetshme e SHBA-së
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për takimin që kanë pasur liderët e institucioneve shtetërore me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë, Philip Kosnett, në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë taksën dhe dialogun me Serbinë.
Ai ka thënë se takimet të tilla janë të shpeshta, të cilat sipas tij kanë për qellim koordinimin e agjendës për Kosovën, raporton “Epoka e re”.
Duke iu referuar kërkesës së ShBA-së për pezullimin e taksës ndaj Serbisë, Thaçi ka thënë se Kosova ka qenë dhe do të mbetet mike e përjetshme e Amerikës.
“Takime të tilla ndodhin shpesh. Takime të tilla janë të rregullta. Edhe me ambasadorin e ShBA-së, edhe me bartësit e institucioneve të vendit dhe me liderët politikë, në përkushtimet që kemi për një koordinim më të mirë në agjendat që kemi para nesh si bartës të institucioneve dhe si udhëheqës të shtetit të Kosovës, natyrisht gjithmonë në koordinim dhe konsultim të ngushtë me ShBA-në”.
“Prandaj mendoj se ishte një takim që i ka kontribuuar qartësisë se agjendës dhe natyrisht fuqizimit të bashkëpunimit më të fuqishëm me SHBA-në. Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet mike e përjetshme e SHBA-së. Dhe nuk ka individ apo agjendë ditore që do ta sfidojë këtë partneritet të shtetit të Kosovës, të qytetarëve të Kosovës, as sot e as në të ardhmen me ShBA-në”, ka thënë Thaçi pas homazheve të shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë.
/Epoka e re/