Thaçi: FSK-ja është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit tonë
Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se më 14 dhjetor të vitit të kaluar përmbyllën një proces të filluar në vitin 2014, me të cilin vunë themelet e Ushtrisë së Kosovës.
“Me ndryshimet në Ligjin për FSK-në i dhamë Forcës së Sigurisë së Kosovës mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë. Tri ligjet që i hapën rrugë transformimit të FSK-së ishin ligjet që kanë marrë më së shumti vota ndonjëherë, duke dëshmuar kështu vendosmërinë e tërë spektrit politik dhe vullnetin e tërë Kosovës për ta pasur ushtrinë tonë”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës si forcë profesionale me standarde të NATO-s, si forcë shumetnike që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, në tërë territorin e shtetit tonë, është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit tonë.
“Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar aftësitë e veta dhe përgatitjen e lartë në misionet e kërkim-shpëtimit, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit. Ajo tash po i shton kapacitetet për detyra të reja, për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës nga kërcënimet e jashtme, por edhe për t’i ndihmuar aleatët tanë në vendosjen dhe ruajtjen e paqes kudo që shfaqet nevoja”, është shprehur Thaçi.