Thaçi fton për unitet politik rreth liberalizimit të vizave
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dushko Markoviq, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e Malit të Zi për Kosovën dhe për vizitën e tij në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë.
Presidenti Thaçi dhe kryeministri Markoviq kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, gjendjen aktuale politike në rajon dhe për perspektivën evropiane.
Thaçi ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme, duke kërkuar zgjerimin e tyre edhe në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës.
Në këtë takim është biseduar edhe për domosdoshmërinë e ratifikimit të shpejt të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për shënimin e vijës kufitare.
“Ftoj për një unitet politik në Kosovë për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, për t’i hapur rrugë liberalizmit të vizave. Kjo do të ishte dhurata më e bukur për qytetarët e Kosovës në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Më tutje, presidenti Thaçi ka theksuar se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan.
Ndërsa kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka theksuar se Mali i Zi do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën dhe do ta thellojë edhe më shumë bashkëpunimin ndërshtetëror.
“Do të bashkëpunojmë ngushtë që t’i realizojmë interesat tona të përbashkët, të anëtarësimit në BE”, ka thënë Markoviqi.