Thaçi fton shqiptarët në Maqedoni ta mbështesin referendumin
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës zyrtare në Shkup u ka bërë thirrje qytetarëve të Maqedonisë dhe sidomos shqiptarëve të atjeshëm, që pa hezitim të dalin dhe të votojnë në referendumin për emrin që organizohet më 30 shtator.
Sipas tij, votimi pro-marrëveshjes së Maqedonisë me Greqinë për emrin do të vuloste të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë.
Këto thirrje Thaçi i ka bërë gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, të mbajtur në Shkup.
“Ftoj me autoritetin tim modest në emër të Kosovës, si një vend fqinj me Maqedoninë, që të gjithë njerëzit, qytetarët e Maqedonisë pa dallim, që të marrin pjesë në referendum dhe natyrisht të votojnë pro”, u shpreh Thaçi.
“Maqedonia në NATO është më tepër paqe për gjithë rajonin, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Kështu që ky është një moment historik që duhet të shfrytëzohet”, ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
/Epoka e re/