Thaçi: Gjykata Speciale, padrejtësi historike ndaj Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur të drejtë kushtetuese dhe ligjore iniciativën e disa deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se do ta nënshkruajë ligjin për këtë çështje. Thaçi ka deklaruar se askush nuk duhet t’u frikësohet iniciativave qytetare dhe, sipas tij, veprimet ligjore dhe kushtetuese mund të jenë të papëlqyeshme apo zhgënjyese, por nuk i prishin raportet me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n.
I pari i vendit ka ritheksuar se Gjykata Speciale është padrejtësi historike, por e ka shtyrë përpara për hir të ruajtjes së partneritetit me ShBA-në, NATO-n dhe BE-në. Sipas tij, krijimi i Speciales më tepër ka qenë lojalitet i Kosovës ndaj propozuesve sesa që ka qenë i nevojshëm dhe bindje se duhet të ndodhë diçka e tillë.
“Kam udhëhequr atë proces negociator dhe e kam pranuar, sepse kam qenë i detyruar për shkak të ruajtjes së raporteve me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n. Në të njëjtën kohë edhe bota ka ndryshuar dhe ajo ka ndodhur në vitin 2015. Unë nuk i inkurajoj deputetët, por vendimin e tyre do ta nënshkruaj menjëherë”, është shprehur Thaçi.
Ai ka thënë se askush në Kosovë nuk e di se kush do të akuzohet nga Specialja. Por, sipas Thaçit, nëse Gjykata Speciale është çmimi i lirisë, natyrisht se të gjithë do t’i marrin përgjegjësit që u takojnë, edhe si qytetarë, edhe si bartës të institucioneve.
“Epoka e re”: President, javën e kaluar pati një iniciativë të disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Ju e mbështetni këtë iniciativë dhe pse tash është e nevojshme zhbërja e kësaj gjykate?
Thaçi: Jam president i vendit dhe çmoj punën e çdo deputeti dhe bartësve të institucioneve. Ne jetojmë në një vend demokratik, me të drejta kushtetuese dhe ligjore të garantuara dhe nuk duhet të frikësohemi prej iniciativave qytetare, prandaj nuk kam asnjë arsye të pretendoj t’i linçoj pesëdhjetë deputetë. Është e drejtë e secilit të mendoj me kokën e vet dhe të veprojë sipas orientimeve të veta. Unë mbaj qëndrimin e njëjtë sikur në gusht të vitit 2015, kur kam deklaruar qartë se themelimi i Gjykatës Speciale është padrejtësi historike, ashtu vazhdoj të besoj edhe sot edhe përjetësisht. Tash kur Tribunali i Hagës u mbyll për të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, për Kosovën hapet një storie tjetër. Unë do t’i kryej obligimet e mia kushtetuese dhe ligjore si president i vendit. Pushtetet janë të ndara, Kuvendi e ka punën e vet, Qeveria punën e vet dhe Presidenca punën e saj.
“Epoka e re”: Do ta nënshkruani ligjin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?
Thaçi: Sikurse që i kam nënshkruar të gjitha ligjet, edhe atë ligj do ta nënshkruaj menjëherë.
“Epoka e re”: Në ditën kur u bë publike iniciativa për shfuqizimin e kësaj gjykate, në opinion thuhej se kjo nismë është bërë pikërisht nga ju për shkak se po i frikësoheni Gjykatës Speciale dhe po dëshironi ta shpëtoni veten tuaj. Qëndron kjo?
Thaçi: Njerëzit e njëjtë gjëra të tilla kanë deklaruar edhe në vitin 2015, kur e kam udhëhequr procesin e themelimit të kësaj gjykate, duke vlerësuar qartë se Gjykata Speciale është padrejtësi historike, por e shtymë përpara për hir të ruajtjes së partneritetit me ShBA-në, NATO-n dhe BE-në. Edhe atëherë është thënë se Thaçi po e shtynë përpara për shkak të interesave personale. Edhe tash kur nuk jam fare pjesë e Kuvendit dhe Qeverisë, po të njëjtit njerëz thonë se iniciativa është prej dy-tre njerëzve dhe në mesin e tyre përmendëm edhe unë. Kështu që nuk befasi deklarimet e këtyre njerëzve. Por një gjë duhet ta kenë të qartë të gjithë, nuk ka forcë, çfarëdo që të jetë ajo, që e cenon dinjitetin, integritetin dhe krenarinë e luftës sime, prej fillimit të rezistencës e deri në ditën e shpalljes së Kosovës së pavarur dhe sovrane.
“Epoka e re”: Mediet kanë raportuar se ndër aktakuzat e para do të jetë ajo ndaj jush?
Thaçi: Unë jam cak në kuptimin e përmendjes së emrave tash e tri dekada, prej pushteteve të Serbisë e deri në ditët e sotshme. Por për të gjithë aktivitetin tim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ndihem shumë krenar dhe jam shumë i bindur se lufta jonë ka qenë e pastër, e drejtë dhe legjitime. Kjo ka qenë rruga e vetme për ta fituar lirinë dhe pavarësinë. Nëse Gjykata Speciale është çmimi i lirisë atëherë natyrisht se do t’i marrim përgjegjësit që na takojnë, edhe si qytetarë, edhe si bartës të institucioneve. Mirëpo të gjitha opinionet që shfaqen për emra të përveçëm janë spekulime. Askush në Kosovë nuk e di se kush do të akuzohet nga Gjykata Speciale. Në të kundërtën, më së miri do të ishin të informuar bartësit e institucioneve.
“Epoka e re”: Ju personalisht nuk e dini?
Thaçi: Unë nuk e di se kush do të akuzohet. Por, një gjë e di, se do të jenë njerëz nga UÇK-ja.
“Epoka e re”: Serbët nuk do të akuzohen nga kjo gjykatë?
Thaçi: Fatkeqësisht, nuk do të akuzohet asnjë serb. Nuk do të ndiqen serbët që kanë kryer mbi 400 masakra ndaj shqiptarëve. Këto i kam thënë edhe në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015 dhe i deklaroj edhe sot. Mendoj se çmimi individual është i ulët, në krahasim me çmimin e lartë që mund ta paguajë vendi, sepse Kosova nuk e ka sulmuar asnjë vend. Mirëpo ka zhvilluar një luftë mbrojtëse, popullore dhe çlirimtare për liri. Kjo është vlerë e shenjtë e çdo qytetari dhe jo vetëm e pjesëtarëve të UÇK-së. Askush nuk është duke e sfiduar drejtësinë. Këta 50 deputetë kanë prezantuar alternativë. Ata janë njerëz të dëshmuar për këtë vend, janë të zgjedhur të popullit dhe, tekefundit, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë shpallur edhe pavarësinë. E lërë më një iniciativë ligjore dhe kushtetuese.
“Epoka e re”: Ka rrezik që kjo iniciativë t’i prishë raportet me vendet mike siç janë ShBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe të tjerët?
Thaçi: Çdo veprim ligjor dhe kushtetues nuk prish raporte, por mund të jetë i papëlqyeshëm ose zhgënjyes. Ndërkaq, çdo veprim joligjor, jokushtetues dhe përdorimi i dhunës është cenues. Prandaj gjithçka që ndodh brenda institucioneve të Kosovës, por që respekton Kushtetutën dhe ligjet, askush nuk duhet t’i frikësohet.
“Epoka e re”: Ky tentim për shfuqizimin e gjykatës po bëhet në mënyrë që Kosova mos të paguajë faturën e atyre që ka bërë Serbia?
Thaçi: Serbia sot është e përkëdhelur nga Bashkimi Evropian, sepse po luan me kartën e Rusisë dhe, në momentin që e hapë kartën e Rusisë, menjëherë përqafohet nga BE-ja dhe tolerohet për çdo gjë që dëshiron.
“Epoka e re”: Ka qenë gabim i Kosovës pranimi i kësaj gjykate nga faktori ndërkombëtar?
Thaçi: Kam udhëhequr atë proces negociator dhe e kam pranuar, sepse kam qenë i detyruar për shkak të ruajtjes së raporteve me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n. Në të njëjtën kohë edhe bota ka ndryshuar dhe ajo ka ndodhur në vitin 2015. Unë nuk i inkurajoj deputetët, por vendimin e tyre do ta nënshkruaj menjëherë.
“Epoka e re”: Kosova mund ta parandalojë funksionimin e kësaj gjykate përmes kësaj iniciative?
Thaçi: Kosova nuk i ka ikur kurrë drejtësisë, përkundrazi ka qenë shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Kemi kaluar drejtësinë e UNMIK-ut dhjetë vjet, kemi kaluar Hagën në dy-tri procese, nga dy-tri herë, kemi kaluar EULEX-in që dhjetë vjet, tash kemi autoritetet vendore. Pse për Kosovën standard të dyfishtë? Mos jemi ne qytetarë të kategorisë së dytë? Ndërsa për kroatët, boshnjakët e serbët lejohet funksionimi i Gjykatës Speciale në vend. Pse mos t’i lejohet Kosovës e njëjta gjë?
“Epoka e re”: Është keqpërdorur konstruktiviteti i tepruar i Kosovës në raport me ndërkombëtarët?
Thaçi: Ndihem shumë krenar që jam president i një vendi në rajon që është më pro amerikan, më pro evropian dhe më pro NATO-s. Secili vend i ka specifikat e veta, por natyrisht se argumentet që i kemi prezantuar më herët kanë qenë dhe janë të qëndrueshme. Më tepër ka qenë lojalitet i yni ndaj propozuesve sesa që ka qenë e nevojshme dhe bindje se duhet të ndodhë diçka e tillë. Por, ky lojalitet i yni nuk duhet të keqpërdoret.
Shqipe HETEMI