Thaçi: Heroizmi i Jasharëve mobilizoi botën shqiptare kudo
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se heroizmi i Jasharëve mobilizoi botën shqiptare kudo.
Gjatë fjalimit të tij për nder të “Epopesë së UÇK-së” në kazermën “Adem Jashari”, presidenti Thaçi ka deklaruar se më 5, 6 dhe 7 mars kujtojmë me respekt sakrificën e mijëra dëshmorëve dhe martirëve.
“Bota shqiptare me nderim dhe respekt të lartë përkulet para familjes Jashari. Kujtojmë me respektin më të lartë, sakrificën e mijëra dëshmorëve, martirët dhe gjithë dëshmorët e rënë për liri të vendit. Kujtojmë plagën e invalidëve të luftës dhe të gjithë ushtarët e lirisë që kontribuuan për Pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Para ushtarëve të Kosovës, ai ka deklaruar se ata janë trashëgimtar të suksesshëm të UÇK-së. “Të nderuar ushtarë të Kosovës ju jeni trashëgimtar të suksesshëm të UÇK-së. Me luftën heroike të UÇK-së Kosova u çlirua dhe u bë vend i lirë. Kosova me sukses kaloi fazën e tranzicionit. Për 12 vjet të pavarësisë shënuam të arritura të jashtëzakonshme si asnjë vend në botë. Kosova është storje e suksesshme. Secili qytetar do duhet të ndihet mirë për rolin e vet. Kosova e ka të qartë rrugën e vet përpara”, ka deklaruar presidenti.