Thaçi: Heshtja e ndërkombëtarëve për gjenocidin serb në Kosovë ka zhgënjyer qytetarët tanë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas orës përkujtimore të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Shtime në nderim të të rënëve në Masakrën e Reçakut, nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook”, ka thënë se heshtja dhe amnistia ndërkombëtare ndaj gjenocidit serb të kryer në Kosovë i ka zhgënjyer të gjithë qytetarët.
“Nuk mund të mos e shpreh revoltën e qytetarëve të Kosovës që kishin besim të plotë në drejtësinë ndërkombëtare për t’i sjellë kriminelët serbë para drejtësisë dhe për të garantuar drejtësi për të gjitha viktimat”, ka shkruar Thaçi.
Postimi i plotë i Thaçit:
Njëzet e një vjet më parë, më 15 janar 1999, forcat serbe në Reçak ekzekutuan mizorisht 45 civilë shqiptarë, të të dy gjinive dhe të gjitha moshave.
Ky krim makabër zgjoi botën demokratike, e cila deri atëherë ishte kufizuar vetëm në disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku i kërkonin Serbisë që të ndalte dhunën dhe të shmangte rrezikun e një krize humanitare në Kosovë.
E falënderoj posaçërisht ambasadorin William Walker, që gjithmonë na qëndroi pranë. Por, nuk mund të mos e shpreh revoltën e qytetarëve të Kosovës që kishin besim të plotë në drejtësinë ndërkombëtare për t’i sjellë kriminelët serbë para drejtësisë dhe për të garantuar drejtësi për të gjitha viktimat.
Kjo heshtje dhe amnisti ndërkombëtare e gjenocidit serb të kryer në Kosovë i ka zhgënjyer të gjithë qytetarët tanë, veçanërisht familjarët e atyre që më nuk janë në mesin tonë.
Sot në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj shqiptarëve, me dhimbje të madhe përkujtojmë të gjitha viktimat e krimeve monstruoze të forcave policore dhe ushtarake serbe ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.
/Epoka e re/