Thaçi në takim me kongresistin Engel: ShBA-ja të mbetet e fokusuar në çështjen e Kosovës
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot kongresistin Eliot Engel, kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan, i shoqëruar nga zonja Engel dhe bashkëpunëtorët, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën.
“Ju jam mirënjohës për angazhimin tuaj personal, prej dekadash, për Kosovën dhe popullin shqiptar në përgjithësi”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi ka shprehur kënaqësinë para kongresistit Engel dhe ambasadorit Kosnett për përurimin e ndërtesës së re të ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, duke e krahasuar momentin e 4 Korrikut 2019 me hapjen e Zyrës amerikane në Kosovë në vitin 1996.
“Është impresive kur e kujtojmë se ku ishim në vitin 1996 dhe kur e shohim ku jemi sot”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se për këtë u janë mirënjohës përkrahjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të gjithë miqve, që kanë përkrahur Kosovën gjatë këtyre viteve.
Presidenti Thaçi ka ftuar kongresistin Engel që të angazhohet që ShBA-ja të mbetet e fokusuar në çështjen e Kosovës deri në përmbylljen e plotë të stories së Kosovës, me konsolidimin e plotë ndërkombëtar të vendit.
Ndërsa, kongresisti Eliot Engel është shprehur se është i gëzuar që është përsëri në Kosovë, veçanërisht për të qenë pjesë e shënimit të 4 Korrikut me inaugurimin e ambasadës së re amerikane.
Engeli ka theksuar progresin e madh që Kosova ka bërë në vitet që nga pavarësia dhe ka shprehur shpresën e tij se vendi do të vazhdojë të përparojë në rrugën drejt prosperitetit, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
/Epoka e re/