Thaçi: Intervenimi i NATO-s hapi kapitullin e çlirimit të Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke kujtuar 19 vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, kundër forcave ushtarake e policore serbe, ka thënë se u jemi përjetësisht mirënjohës SHBA-së, shteteve të BE-së dhe Aleancës së NATO-s, që me intervenimin e tyre hapën kapitullin e çlirimit të Kosovës.
“Sot u bënë 19 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake e policore serbe. Pasi përpjekjet diplomatike ndërkombëtare nuk e ndalën agresionin e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, ndërhyrja e NATO-s kishte mbetur alternativë e vetme për t’i dhënë fund vuajtjeve të popullit tonë. U jemi përjetësisht mirënjohës SHBA-së, shteteve të BE-së dhe Aleancës së NATO-s, që me intervenimin e tyre hapën kapitullin e çlirimit të Kosovës. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e paqes, sigurisë dhe për një të ardhme në fqinjësi të mirë në tërë rajonin”, ka shkruar ai në profilin e vet në “Facebook”.