“Thaçi ishte serioz dhe i butë”, gazetari norvegjez tregon përvojën e tij sesi ushtarët lokalë nuk i kanë zbatuar udhëzimet e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së
Gazetari norvegjez, i cili qëndroi në Kosovë gjatë luftës 1998-1999, foli për përshtypjet që i lanë udhëheqësit e UÇK-së.
Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, foli për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Sylejman Selimin dhe Agim Çekun.
“Hashim Thaçi më bëri përshtypje si një njeri shumë serioz, shumë i butë. Gjithmonë kam menduar se kishte një komandant misterioz në krye. Mendova se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dhe Sulltani [Sylejman Selimi], këta ishin thjesht ndërmjetës dhe pastaj kishin dikë në krye”, tha ai.
Ai tregoi përshtypjen e tij edhe për Kadri Veselin.
“Më pëlqente shumë. Ai ishte shumë i gjallë. Por, ai ishte shumë miqësor, kisha shumë kontakt me të”, ka thënë gazetari norvegjez Paul Refsdal.
Ndërsa, Çekun e përshkruan si njeri ushtarak i mirë trajnuar, duke shtuar se me ta ka folur anglisht dhe gjermanisht.
Ai thotë se pas masakrës së familjes Jashari, UÇK-ja nuk ishte e mirëkoordinuar.
Gazetarja Jeta Xharra si përkthyese e BBC-së, po ashtu, ka treguar përvojën dhe përshtypjen e saj për zhvillimet brenda UÇK-së pas rënies së familjes Jashari.
“Përshtypjet e mia kur isha përkthyese për BBC-në në 1998, vlerësimi im për këtë hierarki që përmendët, nëse kishin dikë në krye, ishte se ishte një kaos i plotë që UÇK-ja nuk ishte një ushtri e organizuar hierarkike. Këto ishin grupe që përpiqeshin të shpëtonin çfarë të mundnin, të bënin sulme dhe të largoheshin, por nuk kishin kontroll mbi situatën”, është shprehur Jeta Xharra gjatë diskutimit me gazetarin norvegjez Paul Refsdal.
Në pyetjen e gazetares Xharra drejtuar gazetarit norvegjez se cila ishte përshtypja juaj për hierarkinë, ai është përgjigjur se në përgjithësi mendon si ajo.
Gazetari Paul Refsdal duke rrëfyer përvojën e tij personale ka treguar praktikisht sesi në UÇK nuk kishte funksionuar hierarkia vertikale dhe si ushtarët lokalë nuk i kishin përfillur udhëzimet e drejtuesve të UÇK-së.
“Kadri Veseli pas sulmeve të serbëve në Rezallë dhe kjo foto është nga sulmi (paraqitet një foto në ekran), pas sulmit në Rezallë ku serbët erdhën papritur. Ky është fillimi i shtatorit 1998. Serbët erdhën si një surprizë. Fola me Kadri Veselin pas asaj dhe ai tha: “U thashë që duhet ta ruajnë këtë rrugë. Serbët do të vinin aty, por nuk dëgjuan. Ky ishte problemi. Ai ishte komandant, por grupet lokale nuk dëgjuan”.
Pas kësaj, gazetarja Jeta Xharra e tregoi një histori të ngjajshme.
“E ngjajshme me përvojën time. Do të pranoja intervista për të marrë ekipin e BBC-së për të bërë intervista të caktuara. Do të aprovoheshin nga dikush. Pastaj do të takoja dikë në terren që do të na ndalonte plotësisht dhe do të thoshte “Nuk ju lejoj të hyni edhe nëse ai person që thoni ju lejoi të hyni”. Kjo vetëm provon se gjërat nuk zbatoheshin siç dëshironin t’i zbatonin këta liderë”, ka thënë Jeta Xharra.