Thaçi: Jam i gatshëm të dal i suksesshëm nga kjo sfidë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbërritur para pak minuta në Hagë për intervistim, me ftesë të Prokurorit të Specializuar.
Para se të hynte në ndërtesën e Prokurorisë së Specializuar, Thaçi para mediave ka thënë se beson që nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm.
“Sot jam këtu për të respektuar për atë që kam ëndërruar dhe kam luftuar – Kosovën e pavarur, të bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multietnike dhe sundim të ligjit. Jam i gatshëm të ballafaqohem me këtë sfidë të re dhe të dalë i suksesshëm për djalin tim, familjen time, popullin tim dhe shtetin tim”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se askush nuk mund ta rishkruajë historinë.
“Unë besoj në paqe, të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Unë besoj në dialog dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Kosova është storie suksesi, gjë për të cilën jam shumë krenar. E ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Thaçi, derisa deklarata e tij u përcoll me brohoritje “Thaçi”, “UÇK” nga një grup i shqiptarëve që ishin prezentë para objektit të Speciales në Hagë.
(M.Q / Epoka e re)