Thaçi: Jam i pafajshëm për të gjitha akuzat
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur keqardhje për të gjitha viktimat gjatë konfliktit më 1998-99.
Ai iu drejtua Dhomave të Specializuara në Hagë në ditën e dytë të gjykimit ndaj tij dhe tre ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lifte pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, apo politike”, tha Thaçi.
Thaçi hodhi të gjitha akuzat që ia ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza. Por, jam gati të përballen me këtë sfidë të re dhe të kem sukses për familjen time, popullin tim”, tha Thaçi.
Ai tha se ky gjykim është “rrugëtim drejt të vërtetës dhe drejtësisë”.
Sipas Thaçit, viktimat nuk marrin drejtësi përmes përndjekjes të të “pafajshmëve”.
“Padrejtësia nuk ndreqet me një padrejtësi tjetër”, tha Thaçi.
Ai foli edhe për synimin e luftës së zhvilluar më 1998-99.
“Si rezistenca paqësore ashtu edhe ajo e armatosur kishin të njëjtin synim: lirinë, shtetësinë dhe rendin demokratik të Kosovë”.
“Qytetarët e Kosovës nuk donin luftë, lufta iu imponua” atyre, theksoi Thaçi.