Thaçi: Jemi në rrugë të duhur për integrim në BE dhe në NATO
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sonte ka marrë pjesë në kremtimin e festës së ditëlindjes së Lartmadhërisë së saj, Mbretëreshës Elizabeth, të organizuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.
Presidenti Thaçi ka thënë se festat sikurse kjo janë momente kur sjellim në mendje gjërat e mira dhe pozitive që kemi.
Ai ka thënë se jemi krenarë që në rrugëtimin për liri, barazi dhe drejtësi, Kosova ka pasur dhe e ka përkrahjen e Britanisë së Madhe, thuhet në njoftimin presidencial.
“Londra, gjithmonë ka qenë ndër përkrahësit më të zëshëm të aspiratës sonë për liri dhe për barazi. Për këtë do të jemi përherë mirënjohës. Ne dhe qytetarët e Kosovës, këtë mirënjohje për miqtë dhe përkrahësit tonë e shprehim duke u angazhuar për paqe të qëndrueshme, për stabilitet, për sundim të ligjit e për prosperitet në rajon dhe kudo në botë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se Kosova dhe qytetarët e saj janë të bekuar, sepse gjithmonë kemi ditur që të përkrahim dhe avancojmë vlerat perëndimore civilizuese.
“Është besimi në vlerat e përbashkëta, ai që përbën themelin e partneritetit dhe miqësisë sonë të përhershme, në mes të Kosovës dhe Britanisë së Madhe”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka shtuar se Kosova e ka bërë një dekadë si shtet i pavarur e sovran dhe është konsoliduar brenda dhe në arenën ndërkombëtare.
“Shteti ynë është njohur nga më shumë se dy të tretat e botës dhe jemi anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare. Jemi në rrugë të duhur për të realizuar aspiratën tonë për integrimin në BE dhe në NATO. Gjithashtu, si shoqëri e civilizuar, jemi të përcaktuar për dialog dhe fqinjësi të mirë më të gjithë, duke përfshirë edhe Serbinë. Por, puna jonë nuk ka përfunduar. Kosova, sot është pjesë e botës demokratike dhe me krenari jep kontributin e vet për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta civilizuese perëndimore të cilat vazhdojnë të jenë të kërcënuara”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se “jemi të vendosur më shumë se asnjëherë më parë që së bashku të mbrojmë shoqëritë tona, mënyrën tonë të të jetuarit, bashkëjetesën, bashkëpunimin dhe tolerancën”.
Kjo na mban afër njëri-tjetrit, ka thënë presidenti Thaçi.
“Kjo do ta mbajë përherë të fuqishme miqësinë në mes Kosovës dhe Britanisë. Prandaj, të ngrehim dolli për Lartmadhërinë e Saj, Mbretëreshën Elizabeth, duke i dëshiruar jetë të gjatë e shëndet”, ka përfunduar presidenti Thaçi.