Thaçi: Jo ndarje po bashkim të Preshevës me Kosovën

02 gusht 2018 | 19:34

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë sot se pikëpamja e tij për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nënkupton refuzim të çdo ideje për ndarjen e Kosovës, por përfshin kërkesën për bashkimin e Preshevës me Kosovën.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Thaçi ka ritheksuar qëndrimin e tij se në asnjë rrethanë dhe nga askush nuk mund të imponohet një ndarje e Kosovës.

Madje ai tha se një gjë e tillë as nuk do të hidhet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“Në asnjë rrethanë, nga askush dhe me asnjë çmim nuk mund të imponohet një ndarje e Kosovës, ne duhet të jemi të vetëdijshëm që Demarkacioni i Kosovës me Serbisë do të ndodhë. E ritheksoj se një temë e tillë nuk mund të hidhet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel”, ka thënë ai.

E duke folur për shkëmbimin e mundshëm të territoreve, Thaçi ka thënë se një gjë e tillë nuk është dëgjuar ende , mirëpo se kjo kërkesë është e kahmotshme nga ana e shtetit serb.

“Nuk është dëgjuar një gjë e tillë, kërkesa për ndarje është kërkesë historike e Serbisë, në kuadër të korrigjimit të kufinjve do t’i themi jo ndarjes dhe po bashkimit të Preshevës me Kosovën”, ka thënë ai.

Në fund, Thaçi ka thënë se shpreson që marrëveshja finale të jetë e balancuar dhe e pranueshme nga Bashkimi Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ferdinand Samarxhi Fitues i Antenës së Artë/Mjeshtër i Madh…