Thaçi: Ka ardhur koha që Kurti dhe grupi i tij të ballafaqohen me drejtësinë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “grupi i Kurtit” bashkë me ushtruesin e detyrës të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla do të duhet të përballen me drejtësinë, për siç ka theksuar ai për të gjitha veprat e kundërligjshme që kanë bërë gjatë qëndrimit në pushtet.
Duke folur rreth zgjedhjeve për kryetar të Podujevës, Thaçi ka thënë se do t’i ftojë të gjitha partitë për të diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë, të cilat ishin pezulluar për shkak të pandemisë Covid-19.
“Unë nuk komentoj takimet për të cilin nuk kam ndonjë informatë që ka ndodhur dje. Ju e dini që ajo nuk është zyrë vendimmarrëse, prandaj mirë që takohen, mirë që diskutojnë, por nuk është një proces i njëanshëm. Unë do të ftoj e diskutoj me të gjithë spektrin politik sa i përket zgjedhjet në Podujevë, por gjithmonë duke i respektuar këshillat. Para se të mendohet për hapat tjerë, Kurti dhe grupi i tij ka ardhur koha që të ballafaqohen me drejtësi. Edhe ai edhe Xhelal Sveçla, edhe ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, që për këta muaj e kanë shkel edhe kushtetutën edhe ligjet”, ka thënë Thaçi nga selia e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).