Thaçi: Kam besim të plotë në vizionin e kancelarit austriak
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka falënderuar kryeministrin bullgar, Boyko Borissov, për atë çfarë ka bërë sa Bullgaria kishte presidencën e Bashkimit Evropian, por ka thënë se ka besim të plotë edhe në kancelarin austriak, Sebastian Kurz, shteti i të cilit tash ka presidencën.
Thaçi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se ka besim të plotë në vizionin dhe energjinë e kancelarit austriak, Sebastian Kurz.
Presidenti ka theksuar se Kosova duhet vazhduar me zbatimin e reformave të rëndësishme politike dhe ekonomike, të nevojshme në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE.
“Presidenca e BE-së nga Bullgaria dhe Samiti i Sofjes ishin një sukses i plotë dhe një hap i madh përpara drejt jetësimit të aspiratës sonë për anëtarësim në BE. E falënderoj kryeministrin bullgar, Boyko Borissov, për rolin dinamik në mbështetje të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në gjashtë muajt e fundit të kryesimit të presidencës. Presidencën e BE-së tani e merr një shtet tjetër mik i Kosovës, Austria. Unë kam besim të plotë në vizionin dhe energjinë e kancelarit austriak, Sebastian Kurz, për të shtyrë përpara agjendën evropiane të shtetit tonë dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të vazhdojmë me zbatimin e reformave të rëndësishme politike dhe ekonomike, të nevojshme në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE”, ka shkruar Thaçi.
/Epoka e re/