Thaçi: KEK-u po operon me 100 % të kapaciteteve prodhuese
Drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi ka bërë me dije se kjo korporatë është duke operuar me 100 % të kapaciteteve prodhuese.
Teksa ka pritur në vizitë kryetaren e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha – Shala dhe deputeten Evgjeni Thaçi – Dragusha, drejtori i KEK-ut i ka njoftuar deputetet për të arriturat e KEK-ut, prodhimin aktual, përgjegjësitë dhe obligimet që ka kjo korporatë ndaj shtetit.
“Për pjesën e operimeve dhe që kemi tejkaluar planet dhe obligimet që kemi në pjesën e prodhimit të energjisë elektrike. Edhe sa i përket kësaj sezone, i njoftuam deputetet se jemi duke operuar me 100 % të kapaciteteve prodhuese, me mbi 800 megavat orë energji elektrike me gjithë faktin se kjo është gati e pamundur kur kihet parasysh çfarë teknologjie kemi. Mirëpo, kjo po arrihet vetëm falë një pune dhe përkushtimi maksimal të të gjithë kuadrove dhe punëtorëve të KEK-ut”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në “Facebook”, duke shtuar se me deputet ka biseduar edhe për sfidat që e presin këtë korporatë në vitet e ardhshme për pjesën tjetër të shpronësimeve, hapjen e minierës së re dhe projektet kapitale.
/Epoka e re/