Thaçi: Kërkesa e jonë është që Kosovës t’i kthehet Presheva, Bujanoci dhe Medvegja
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është kërkesë që Kosovës t’i kthehet Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, meqë Serbia nuk ka arritur që t’ju garantojë atyre të drejta, të cilat Kosova iu garantohen serbëve në Kosovë.
Ai ka përsëritur se korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje e as shkëmbim territoresh.
Presidenti Thaçi insiston se Kosova duhet ta adresojë kërkesën e Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë. E pranon se ka dallime me liderët politikë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri sa i përket kësaj ideje, ndërsa sqaron edhe debatin në “Facebook”, me ish-presidentin e ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.
Përderisa vazhdon ta forcojë idenë e tij për korrigjim kufijsh në kuadër të fazës finale të dialogut me Serbinë, presidenti Thaçi insiston se kjo nuk nënkupton as ndarje as shkëmbim të territoreve. Por në anën tjetër thotë se do ta shtrojë në dialog me Serbinë kërkesën e kamotshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën. “Korrigjimi i kufijve nuk është term i shpikur nga unë, por shumë shtete në botë e kanë përdorur si mjet për të tejkaluar hasmëritë, për të zgjidhur problemet, për të krijuar paqe afatgjate. Këto ditë e kam përsëritur shpesh: korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje, nuk nënkupton shkëmbim të territorit. Po e them edhe ndryshe, korrigjimi i kufijve nuk do të sjellë ndarje të Kosovës. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Gjatë gjithë këtyre vjetëve që kur jemi në dialog, institucionet e Kosovës janë kritikuar pse çështja e Luginës së Preshevës nuk po diskutohet në dialogun me Serbinë. Tash të njëjtit njerëz kërkojnë që t’i mbyllim sytë përballë kërkesës legjitime të tyre për t’ju bashkangjitur Kosovës. Prandaj, kërkesa e jonë është që Kosovës t’i kthehet Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, meqë Serbia nuk ka arritur që t’ju garantojë atyre të drejta, të cilat Kosova iu garantohen serbëve në Kosovë”, ka thënë Thaçi për televizionin publik.
Kreu i shtetit mohon se bashkimi i Kosovës Lindore me Kosovën nënkupton dhënien e veriut të vendit. Thotë se për idenë e tij për korrigjim kufijsh e ka edhe mbështetjen miqve të Kosovës, përfshirë edhe SHBA-të. “Këtu ka një keqkuptim të madh të cilin duhet sqaruar. Unë kam propozuar korrigjimin e kufijve si opsion të mundshëm për arritjen e marrëveshjes paqësore përfundimtare. Ndarja dhe shkëmbimi i territoreve janë opsione të papranueshme edhe për mua. Në dy dekadat e fundit, në të gjitha proceset politike Kosova ka dal fitimtare pikërisht se ka besuar në SHBA-në, edhe atëherë kur disa kanë pasur dyshime apo kanë qenë skeptik. Gjithmonë kemi qenë bashkë me Amerikën. Edhe në fazën e fundit të dialogut jemi bashkë. Ne nuk do të befasojmë partnerin tonë strategjik, i cili është meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. SHBA dhe BE janë fuqishëm në mbështetje të arritjes së marrëveshjes dhe janë të koordinuara në mes vete”.
Por ani pse thotë ta ketë mbështetjen e miqve për këtë ide, kundër korrigjimit të kufijve të parit të Kosovës i kanë dalë jo vetëm opozita dhe bashkëpunëtorët e tij të politikës, por edhe liderët politikë në Shqipëri.
I fundit është ish-kryeministri Sali Berisha, me të cilin presidenti kosovar një ditë më parë kishte një përplasje verbale në rrjetin social “Facebook”. “Ky është vetëm interpretim i mediave dhe asgjë më shumë. Së pari, mendoj që z. Berisha ka dhënë mendimin e vet për atë se çfarë mendon për zhvillimet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Unë e respektoj mendimin e tij, por mendoj se nuk mjafton vetëm respektimi i të drejtave të njeriut për shqiptarët atje, sepse Serbia ka dështuar ta bëjë këtë në vazhdimësi. Unë konsideroj që ne kemi një mundësi të vogël që të provojmë bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën. Fundja, kjo është ajo çfarë shqiptarët dhe përfaqësuesit politikë të Luginës janë duke kërkuar nga institucionet e Kosovës”.
Idenë e presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh e shohin si të frikshme edhe partitë politike të pozitës dhe opozitës. Kryeministri Haradinaj ka thënë se kushdo që mendon t`i lëkundë kufijtë, duhet ta dijë se kjo përfundon me luftë. Por, presidenti Thaçi ka përmendur një marrëveshje paqësore, si ajo e Belgjikës me Holandën.