Thaçi kërkon që BE-ja ta dënojë gjuhën raciste të kryeministres serbe
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, është “edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës”.
Komentet e Thaçit vijnë një ditë pasi Bërnabiq, në prani të ambasadorit të Bashkimit Evropian (BE) në Serbi, Sem Fabrizi, ka thënë se shqiptarët janë “njerëz që vërtet kanë dalë prej malit”.
Thaçi ka kërkuar nga Bashkimi Evropian qe sa më shpejt ta dënojë dhe të distancohet nga kjo “gjuhë raciste” e zyrtarëve të Serbisë, e cila, sipas tij, nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim.
“Ky veprim nuk paraqet asgjë të re dhe të jashtëzakonshme për ne, sepse ne e dimë shumë mirë karakterin gjenocidial të Serbisë së djeshme dhe asaj të sotme”, ka thënë Thaçi.
“Por, i jashtëzakonshëm dhe zhgënjyes për ne është vetëm fakti i hidhur që BE-ja nuk e dënon këtë sjellje raciste dhe antievropiane të Serbisë. Përkundrazi, BE-ja vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për një shtet që ka kryer gjenocid dhe që nuk beson në vlerat evropiane as sot”, ka thënë Thaçi.
Bërnabiqi i ka bërë komentet të mërkurën, kur ambasadori i BE-së, Fabrizi, i dorëzoi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.
Ajo po ashtu ka thënë se disa prej shqiptarëve “janë edhe terroristë që nuk janë dënuar” dhe që “kanë qenë të akuzuar në Tribunalin e Hagës”.
Bashkimi Evropian nuk ka dalë ende me ndonjë reagim.
Pas deklaratës së kryeministres serbe, ka reaguar ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli.
Ai, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter”, ka thënë se deklarata e Bërnabiqit është “e neveritshme dhe tërësisht e papranueshme”.
Sipas Pacollit, ky “racizëm i institucionalizuar” i ka rrënjët në ideologjinë e sëmurë ultranacionaliste.
Kosova dhe Serbia, qysh në vitin 2011, kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i bisedimeve aktualisht ka ngecur, për shkak të, siç është thënë, taksës që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia.