Thaçi: Komandanti Adem Jashari dhe familja e tij, shembulli më unik i atdhetarizmit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar sulmin e dytë të armatosur të forcave serbe kundër familjes Jashari në Prekaz më 22 janar të vitit 1998.
Ai ka thënë se sulmet e vazhdueshme mbi këtë familje, e cila dallohej për atdhetarizëm dhe veprime të guximshme kombëtare, ishin paralajmërim se Serbia po përgatitej të shtypte me dhunë çdo familje liridashëse në Kosovë.
Presidenti ka vlerësuar se komandanti Adem Jashari dhe familja e tij janë shembulli më unik i atdhetarizmit dhe vetëmohimit për lirinë e një populli.
“Para 21 vjetësh, më 22 janar 1998, ka ndodhur sulmi i dytë i armatosur i forcave serbe kundër familjes Jashari në Prekaz. Sulmet e vazhdueshme mbi këtë familje, e cila dallohej për atdhetarizëm dhe veprime të guximshme kombëtare, ishin paralajmërim se Serbia po përgatitej të shtypte me dhunë çdo familje liridashëse në Kosovë. Familja Jashari, me idealizëm dhe ndërgjegje të lartë njerëzore, politike e kombëtare, asnjëherë nuk ndaloi së sakrifikuari për liri dhe pavarësi. Historitë e popujve kanë rrëfime të ndryshme për shumë heronj, por komandanti Adem Jashari dhe familja e tij janë shembulli më unik i atdhetarizmit dhe vetëmohimit për lirinë e një populli”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/