Thaçi: Kombëtarja e Kosovës është krenaria jonë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur serish rreth ndeshjes Kosovë-Angli, e cila është zhvilluar të dielën që e lamë pas.
Thaçi ka thënë se lojtarët dhe tifozët janë krenaria e shtetit tonë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se është krenar me Kosovën.
“Tash kur janë qetësuar emocionet për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës dhe e shikojmë tërë udhëtimin e ekipit tonë të shkëlqyer, ajo që mbetet është krenaria me lojtarët, me tifozët, me trajnerin dhe stafin e tij. Ndeshja kundër Anglisë nuk e solli rezultatin e dëshiruar në fushën e gjelbër, por solli në vëmendjen e tërë botës atë se çfarë është Kosova, një shtet i ri me potencial të madh dhe një shoqëri që përkundër traumave të luftës dhe gjenocidit udhëhiqet me vlerat e mikpritjes dhe respektit, barazisë dhe vëllazërisë”.
“Kosova dhe populli ynë janë mirënjohës për mbështetjen që kemi marrë në kohët më të vështira dhe këtë po e kthejnë me miqësi të përhershme dhe me besim edhe më të fortë në vlerat e veta. Krenar me Kosovën”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/