Thaçi: Konferenca e Rambujesë, fitorja e parë diplomatike e Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Konferenca e Rambujësë ka qenë fitorja e parë diplomatike e Kosovës, e cila i ka hapur rrugë intervenimit të NATO-s.
Thaçi ka thënë se kjo konferencë është shndërruar në testament për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“Finalizimi i Konferencës së Rambujesë në Paris, 20 vjet më parë, ishte fitorja e parë diplomatike e Kosovës, e cila i hapi rrugë intervenimit ushtarak të NATO-s për të parandaluar spastrimin etnik në Kosovë. Kjo marrëveshje finalizoi procesin e çlirimit të Kosovës, i nisur nga sakrifica dhe lufta jonë. Ajo u shndërrua në testament për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Bashkimi i spektrit politik në atë kohë dhe besimi i palëkundur te Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bëri të mundur arritjen e kësaj marrëveshjeje pas negociatave të vështira dhe rraskapitëse. Sot, si 20 vjet më parë, duhet të bashkohemi të gjithë për të jetësuar ëndrrën e radhës – anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/
https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/photos/a.606015099468853/2541501342586876/?type=3&theater