Thaçi: Kosova do ta luftojë pakompromis radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin
Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për terrorizmin në vitin 2018, Kosova është lavdëruar si shtet në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit.
“Më gëzon fakti që Kosova sërish lavdërohet në raportin e Departamentit të Shtetit për terrorizmin në vitin 2018, si shtet që ka bashkëpunuar me SHBA-në në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe vlerësohet si anëtare e Koalicionit Global kundër ISIS-it”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas Thaçit, kapitulli për Kosovën numëron të arriturat e të gjitha agjencive, gjyqësorit, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të KFOR-it dhe EULEX-it, duke vlerësuar bashkëpunimin e tyre në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.
“Kosova do ta luftojë pakompromis radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin e çdo forme. Jemi partner i barabartë i aleatëve tanë dhe kontribuues për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë”, ka shkruar presidenti Thaçi.