Thaçi: Kosova e përkushtuar në luftën kundër trafikimit me njerëz
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se trafikimit me qenie njerëzore është njëri nga fenomenet më problematike.
Pavarësisht kësaj, Thaçi ka thënë se Kosova ka shënuar progres në luftimin e kësaj dukurie e cila bie në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njeriut.
Presidenti Thaçi në një konferencë me rastin e Ditës së Bashkimit Evropian kundër trafikimit me qenie njerëzore, ka thënë se Kosova ka bashkëpunuar me shtetet e rajonit jo vetëm për të luftuar trafikimin por edhe për të përmbushur aspiratën për liberalizimin e vizave.
“Trafikimi me qenie njerëzore lëkund themelet e Bashkimit Evropian. Janë të mirëseardhura mundësitë sikurse kjo sot për të vetëdijesuar të tjerët për rreziqet që paraqet trafikimi me qenie njerëzore”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se Kosova ka bashkëpunuar me shtetet e rajonit dhe Bashkimin Evropian për të luftuar dukurinë me trafikim me njerëz, por edhe për të përmbushur aspiratën për liberalizimin e vizave.
“Kjo ka hapur rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën. Por ky është edhe një përkushtim që do të vazhdojmë edhe më tej të luftojmë trafikimin me qenie njerëzore. Shteti I Kosovës është një produkt edhe i solidaritetit ndërkombëtar”, është shprehur Thaçi.