Thaçi: Kosova është një dhe e pandashme
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se planet për asociacion me kompetenca ekzekutive apo projekti “kreativ” për sovranitet të dyfishtë, nuk janë asgjë tjetër përveç opsione me qëllim përfundimtar për ndarje të Kosovës.
Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se këto projekte janë të turpshme dhe si të tilla plotësisht të papranueshme, sot dhe gjithmonë. Kosova është një dhe e pandashme.
Postimi i plotë i Thaçit:
Bredhja turistike e disa diplomatëve të rangut të ulët fshehtas nga një kënd në këndin tjetër të Prishtinës, nga një zyrë në zyrën tjetër të institucioneve vendore, duke lobuar për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë në këmbim të liberalizimit të vizave, është fyerje e radhës për institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
Kjo ofertë hileqare dhe diskriminuese e tyre dhe planet për asociacion me kompetenca ekzekutive apo projekti “kreativ” për sovranitet të dyfishtë, nuk janë asgjë tjetër përveç opsione me qëllim përfundimtar për ndarje të Kosovës.
Këto projekte janë të turpshme dhe si të tilla plotësisht të papranueshme, sot dhe gjithmonë. Kosova është një dhe e pandashme. HTH