Thaçi: Kosova i është mirënjohëse Kanadasë për përkrahjen e vazhdueshme
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur të mërkurën në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Kanadasë, Daniel Maksymiuk, të cilin e ka falënderuar për avancimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Kanadasë në kohën e shërbimit të tij.
“U jam mirënjohjes personalisht për ngritjen e bashkëpunimit bilateral në mes dy vendeve tona në një dinamikë të shtuar”, ka thënë Thaçi.
Ai ka theksuar se Kosova i është mirënjohëse Kanadasë për përkrahjen e vazhdueshme.
“Kosova i është mirënjohëse Kanadasë që ka vazhduar ta përkrahë në çdo iniciativë, në çdo organizatë dhe forum ndërkombëtar. Jam i lumtur që kemi filluar bashkëpunim konkret në fushën e sigurisë e të mbrojtjes, por edhe të ekonomisë”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Thaçi është shprehur se Kosova mund të mësojë shumë nga përvojat e Kanadasë dhe falënderoi ambasadorin Maksymiuk që ka nisur disa iniciativa të tilla nga të cilat do të përfitojë shteti dhe shoqëria kosovare.
Ndërsa, ambasadori Maksymiuk është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin që ka pasur me institucionet e Kosovës si dhe me shtimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve.
“Kanadaja i përkrah përpjekjet për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe rajon dhe aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe në BE”, ka thënë ambasadori Maksymiuk.
Në fund të takimit, presidenti Thaçi, i ka uroi ambasadorit Maksymiuk suksese në angazhimet e tij të reja.
/Epoka e re/