Thaçi: Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në konsolidimin e shtetësisë

06 shtator 2018 | 10:30

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Konferencën e Pestë të Ambasadorëve të Kosovës, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Presidenti Thaçi ka thënë se ambasadorët e Kosovës janë hallka më e rëndësishme e shtetit tonë dhe e shoqërisë kosovare, me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare.

“Jeni fytyra e Kosovës, por edhe përgjigjja për pyetjet që të gjithë kanë për Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka ndarë me ambasadorët e Kosovës edhe pikëpamjet për disa prej pyetjeve më të rëndësishme që shtrohen tash para Kosovës.

“E para, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në konsolidimin e shtetësisë së vet. Vetë shërbimi i juaj, vetëm një dekadë i vjetër, është konfirmimi i këtij konsolidimi. Por, për të vazhduar më tutje, duhet të mbyllim disa çështje të hapura, që si plagë e lëndojnë dhe e ngadalësojnë konsolidimin e mëtutjeshëm. E kam fjalën këtu në radhë të parë për dialogun me Serbinë dhe për nevojën për të mbyllur këtë çështje të hapur. Në Samitin e Sofjes, BE e bëri të qartë që shtetet e Ballkanit Perëndimor do të hyjnë në BE vetëm kur t’i zgjidhin çështjet e hapura që kanë në mes vete. Si Kosovë kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët tanë. Dëshirojmë që të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore edhe me Serbinë dhe të garantojmë rrugën tonë drejt NATO-s dhe drejt BE-së”, u shpreh presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se është krijuar një momentum i ri ndërkombëtar në favor të marrëveshjes përfundimtare, ligjërisht obliguese, për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë.

“Duhet ta shfrytëzojmë këtë momentum dhe ta mbyllim kapitullin e luftës në mes Kosovës e Serbisë. Paqja e qëndrueshme në mes të Kosovës e Serbisë do të thotë edhe paqe e qëndrueshme në tërë rajonin e Evropës Juglindore. Arritja e marrëveshjes nuk do të jetë e lehtë, por është e zgjidhja e vetme. Alternativë e kësaj është vetëm zgjatja e armiqësive dhe zhytja e Kosovës në një konflikt të ngrirë. Ju më së miri e dini sa e vështirë është të hapen dyert e bashkësisë ndërkombëtare sot. Prandaj është qenësore që të lëvizim nga Status Quo-ja dhe të ecim drejt një zgjidhjeje që do t’ia hapë dyert Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Presidenti ka thënë se asnjëherë nuk kemi lejuar që në Bruksel të hapet çështja e ndarjes apo e shkëmbimit të territoreve dhe as në të ardhmen nuk do të pranojmë të hapen këto çështje.

Por, sipas tij, Kosova është e gatshme që në kuadër të definimit të kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë të bëjë korrigjimin e vijës kufitare.

“Duke pasur parasysh momentumin ndërkombëtar që është krijuar, tani është momenti të hapim temën e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën. Kjo është kërkesë e kamotshme e Luginës së Preshevës. Si president e kam pranuar kërkesën e liderëve të Luginës së Preshevës që ta shtrojë këtë kërkesë në dialogun në Bruksel dhe para bashkësisë ndërkombëtare. Në fund të këtij procesi e shohim Kosovën si shtet të njohur nga Serbia, shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe me perspektivë të qartë të anëtarësimit në NATO, në BE”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka shtuar se asgjë nuk do ta ndryshojë karakterin shumetnik të shtetit dhe të shoqërisë sonë, si dhe çdo hap i jonë do të jetë i bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht me Uashingtonin dhe me Brukselin.

“Mbyllja e procesit të dialogut me Serbinë do t’i hapë rrugë një faze të re të diplomacisë kosovare”, ka pohuar presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se vëmendjen dhe energjinë tonë do të mund ta përqendrojmë në temat tjera me rëndësi thelbësore për qytetarët e Kosovës.

“Do të përqendrohemi në zhvillim ekonomik të vendit, në forcim të sundimit të ligjit dhe në realizimin reformave që kemi nisur”, ka thënë Thaçi.

Kreu i shtetit ju ka thënë ambasadorëve se kjo dekadë ka qenë dekadë e sfidave, por edhe e të arriturave të mëdha.

“Kemi ndërtuar shërbimin diplomatik nga zeroja. Shumë nga ju kanë hapur për herë të parë ambasadat e Kosovës në botë. Sot jemi prezentë në të gjitha kontinentet, në të gjitha anët e globit dhe zëri ynë dëgjohet në tërë botën. Kjo është meritë e juaja, e punës dhe e përkushtimit tuaj”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i vendit ka theksuar se e institucionet e vendit e vlerësojnë lart punën, angazhimin dhe sakrificën e tërë ambasadorëve të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mëngjesin e sotëm, bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Pak…