Thaçi: Kosova s’do ta harrojë kurrë kontributin e Francës për lirinë dhe shtetin tonë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Francës në Kosovë për 14 korrikun, Festën Kombëtare të Francës.
Presidenti Thaçi ka thënë se 14 korriku është një datë që ka siguruar një vend shumë të veçantë, jo vetëm në historinë e Francës, por edhe gjithë Evropës dhe mbarë Perëndimit.
“Liria, barazia dhe vëllazëria si parime themelore të revolucionit francez kanë qenë dhe mbeten frymëzuese për të gjithë ne edhe këtu në Kosovë”, ka thënë presidenti.
Kreu i vendit ka theksuar se liria e Kosovës është vlerë supreme evropiane dhe perëndimore.
“Liria e Kosovës na bëri bashkë në vitin 1999. Shteti i Kosovës na bashkoi sërish në vitin 2008. Tani, Kosova dhe Franca, si dhe Kosova e Perëndimi janë së bashku në promovimin e vlerave më të mira politike dhe ekonomike të demokracisë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se është i vetëdijshëm që si shtet i ri kemi edhe shumë sprova në rrugëtimin tonë.
“Do të jemi këmbëngulës që synimet tona, të shtetit të Kosovës, t’i realizojmë sa më parë që të jemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Do të dëshmojmë që e meritojmë të jemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai, raporton “KP”.
Presidenti Thaçi më tej ka theksuar se për realizimin e këtij synimi llogarisim edhe në ndihmën, përkrahjen dhe miqësinë e madhe që Kosova ka me Francën.
“Franca dhe populli i saj kanë qenë me ne në ditët më të rënda, më të errëta të luftës dhe në vitet e bërjes së shtetit dhe tash të perspektivës euroatlantike. Prandaj, më lejoni që t’iu falënderohem me këtë rast të gjithë atyre grave dhe burrave të Francës që kontribuuan në politikë, në diplomaci, në KFOR, në EULEX dhe në të gjitha institucionet tjera civile, që ecëm bashkërisht me vendosmëri në arritjen e një ardhmërie të sigurt të Kosovës”, ka theksuar presidenti.
Presidenti Thaçi ka thënë se kurrë nuk do ta harrojmë kontributin e Francës për lirinë dhe shtetin e Kosovës.