Thaçi: Kriminelët serbë duhet të dënohen për krimet e tyre dhe drejtësia duhet të ngadhënjejë
Sot bëhen 21 vjet kur shumë familje klinase ishin ndarë nga ushtria dhe policia serbe në fshatin Kralan të Gjakovës.
Me rastin e këtij përvjetori, presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se afër 100 burra dhe të rinj ishin ndalur, por as sot e kësaj dite nuk dihet asgjë për fatin e shumicës prej tyre.
“Plot 21 vjet kjo dhimbje e prillit është e pashuar për qytetarët e Klinës. Ata, sikurse edhe shumë familje tjera gjithandej Kosovës, duhet ta mësojnë të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre. Edhe në këtë ditë shpreh zhgënjimin e madh për mungesën e presionit ndërkombëtar mbi autoritetet e Beogradit, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se kriminelët serbë duhet të dënohen për krimet e tyre dhe drejtësia duhet të ngadhënjejë, që si rajon të mos mbetemi peng i së kaluarës.
“Kjo është rruga e vetme mbi të cilën mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, në paqe, me prosperitet, për gjithë popujt tanë”, ka shkruar presidenti Thaçi.
/Epoka e re/