Thaçi kujton pajtimin e gjaqeve në Verrat e Llukës
30 vite më parë, më 1 maj 1990, u mbajt Kuvendi i Verrave të Llukës.
Me këtë rast, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se para 30 viteve u mbajt tubimi gjithëpopullor i pajtimit të gjaqeve në Verrat e Llukës, në përvjetorin e 80-të të Kuvendit historik të mbajtur po në këtë vend më 1910.
“Në këtë tubim morën pjesë me mijëra qytetarë nga gjithë Kosova, bashkë me pjesëtarë të këshillave të pajtimit të gjaqeve, si dhe shumë profesorë, klerikë dhe veprimtarë të dalluar. Atë ditë u shënua numër rekord i pajtimit të gjaqeve dhe ngatërresave nga më të ndryshmet. Ky veprim humanitar u përshpejtua si reagim gjithëpopullor kundër vrasjeve sistematike dhe krimeve shtetërore të Serbisë në kohën e heqjes së autonomisë, vrasjes së ushtarëve shqiptarë në kazermat jugosllave dhe vrasjet e demonstruesve në protestat e fuqishme të viteve 1989-1990 ”, ka shkruar Thaçi në llogarinë vet në “Facebook”.
Presidenti ka thënë se sot, në këtë vit jubilar shpreh respekt për të gjithë ata veprimtarë që kontribuuan në shërimin e një plage anakronike në prag të fillimit të rezistencës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
/Epoka e re/