Thaçi: Kurti i detyroi qytetarët të dalin e të bëjnë tollovi
Presidenti Hashim Thaçi, në konferencën që mbajti sot, në të cilën njoftoi se vendimin e qeverisë, për kushtëzim të lëvizjes së qytetarëve, do ta dërgoj për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, tha se kryeministri Albin Kurti ka krijuar panik te qytetarët, të cilët, sipas tij, në mëngjes kanë krijuar tollovi për t’u furnizuar nëpër pika të postës e të shitblerjes së marketeve e barnatoreve.
Presidenti tha se Kurti i ka detyruar qytetarët të dalin në mëngjes që të furnizohen dhe kështu, sipas tij, ata kanë rrezikuar që të përhapet virusi COVID 19 në mënyrë masive.
“Nisur nga konfuzioni i krijuar, sot qytetarët janë detyruar që të dalin në mëngjes e të furnizohen, duke shkaktuar tollovi. Ajo tollovi është bërë sepse i ka frikësuar dhe i ka detyruar qytetarët të dalin në mënyrë urgjente”, tha Thaçi, transmeton “Epoka e re”.
Më tutje, Thaçi tha se i ka shkruar letër kryeministrit Kurti dhe i ka kërkuar shqyrtim të vendimit për ndalim të qarkullimit të qytetarëve nga ora 10 deri në orën 16 për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19. “Përveç kërkesës për masë urgjente, i jam drejtuar me një letër edhe z. Kurti, që ta rishqyrtoj vendimin me të cilin ka krijuar panik, paqartësi, konfuzion”, ka thënë Thaçi.
Presidenti ka thënë se kur ka dashur të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, kryeministri e ka kundërshtuar. “Para pak ditësh ishte vetë kryeministri që kundërshtoi me kokëfortësi dhe me asnjë argument gjendjen e jashtëzakonshme. Tash, ja si është gjendja”, tha presidenti Thaçi në konferencë.