Thaçi: Kurti ose ta pranojë nominimin për mandatar, nëse jo le ta refuzojë
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se njerëzit kanë votuar që të ndërtohen institucionet e jo të ndërtohen vakumet e panevojshme.
Në këtë drejtim, ai ka shtuar se, beson që nuk do të mungojnë angazhimet e liderëve.
“Kosova edhe gjatë nuk do të jetë e bllokuar, do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe variacionet politike që kanë partitë për respektimin e vullnetit qytetarë. Të gjithë qytetarët që kanë votuar duhet t’i respektojmë dhe unë vazhdoj të besoj fuqishëm që do të vazhdojmë t’i përmbushim detyrat që kemi. Për hir të korrektësisë, ju i dini ftesat që ia kam dërguar Kurtit për të marrë të drejtën e mandatarit për themelimin e qeverisë. Takimi në zyrën time ka qenë një takim i vullnetit të mirë por në të njëjtën kohë dua të shpresoj dhe e ftoj përsëri që të mos vazhdoj të mbetet vendimi që e kam nënshkruar qe Albin Kurti është nominuar për kryeministër. Nënshkrimi im për mandatar është në tavolinën time”, ka thënë ai.
Thaçi ka thënë se vullneti për të lëvizur më shpejtë është më i madh se për të mbajtur peng votën e popullit.
“Nëse Kurti nuk e pranon dhe nuk është i gatshëm ta marrë vendimin për të qeverisur, atëherë mund ta refuzojë”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se do t’i shtjerre të gjitha mundësitë për formimin e institucioneve.