Thaçi, Kurtit: Të takohemi sa nuk është marrë ndonjë vendim i papritur për Kosovën

11 mars 2020 | 10:38

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se kryeministri Albin Kurti edhe sot ka refuzuar të takohet me të.

“Edhe sot përsëri kishte refuzim për të ardhur në takim, në tri mundësi. Do të ishte me interes që të gjithë të shpenzojmë energji. Kosova nuk është pronë e një individi. Kosova është pronë e qytetarëve të saj. Është përgjegjësi e çdo lideri. Ne duhet të punojmë dhe të shkojmë përpara me qëndrime unike. Qëndrimi unik është forcimi i shtetit brenda”, ka deklaruar Thaçi në një deklaratë për medie.

Ai ka thënë se Kurti duhet të mos vonohet në marrjen e vendimeve në mënyrë që të mos e çojë Kosovën në drejtim të gabuar.

Sipas Thaçit liria e Kosovës nuk ka kuptim pa ShBA-në.

“As vetë liria e as shteti, s’ka kuptim pa partneritetin pa ShBA-në. Jemi dëshmitar që alternativa e vetme është që të jemi pjesë e BE-së. Por jemi dëshmitar që të tjerët mund të na lënë në gjysmë të rrugës, ose të na ndëshkojnë pa liberalizim të vizave”, ka thënë Thaçi.

Më tutje, Thaçi ka thënë se një takim me Kurtin duhet të ndodh sa nuk është marrë ndonjë vendim i papritur për Kosovën.

“Dua të shpresoj që kryeministri të gjej kohë për t’u takuar, e ka përgjegjësi, në mënyrë që të mos ndodh takimi ynë i pavlerë, në ndonjë vendimmarrje të papritur që mund të vjen për shtetin tonë dhe për qytetarët tonë”, është shprehur Thaçi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mbajtur sot një konferencë…