Thaçi: Liberalizimi i vizave nuk është dhuratë, por meritë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se rekomandimi i Komisioni Evropian për liberalizim të vizave nuk është dhuratë por meritë e Kosovës.
Në konferencën për medie me komisionerin e BE-së për Punë të Brendshme dhe Migracion, Dimitris Avramopoulos, presidenti Thaçi ka thënë se vendimi i sotëm i KE-së është nga lajmet më të mira që kanë pritur qytetarët e Kosovës për dekada.
“Kjo nuk ka qenë një dhuratë, por meritë dhe një mirënjohje e punës së vështirë që kemi bërë së bashku”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se përmbushja e kritereve të kërkuara nuk ka qenë e lehtë.
“Kilometrat e fundit kanë qenë shumë të gjata, mirëpo jam i lumtur që se bashku kemi arritur në cak, në një cak shumë të rëndësishëm”, është shprehur Thaçi.
Shefi i shtetit ka falënderuar delegacionin e Kosovës që po qëndron në Bruksel, opozitën, qeveritë e kaluara, shoqërinë civile, mediet dhe të gjitha institucionet qendrore dhe lokale për kontributin e dhënë në këtë proces.
/Epoka e re/