Thaçi: Liderët botërorë më konfirmuan mbështetjen për marrëveshjen me Serbinë
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Kosova asnjëherë më parë nuk ka pasur mbështetje më të madhe dhe më të fuqishme të mbarë botës, në tejkalimin e konfliktit me Serbinë.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se pas takimeve me liderët botërore, duke përfshirë edhe presidentin rus Vladimir Putin, i është konfirmuar mbështetja e plotë për arritjen e një marrëveshjeje paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi këto komente i bëri pas kthimit nga Parisi, ku u shënua 100 vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Postimi i plotë i Thaçit:
Shënimi i 100-vjetorit të përfundimit të Luftës I Botërore, respektivisht Ditës së Armëpushimit në Paris, ishte po ashtu një mundësi që të takoj dhe bisedoj me liderët botërorë. Në takimet që kam pasur me presidetnin francez, Emmanuel Macron, presidentin amerikan, Donald Trump, kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, si dhe presidentin rus, Vladimir Putin, më është konfirmuar mbështetja e plotë për arritjen e një marrëveshjeje paqësore gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur mbështetje më të madhe dhe më të fuqishme të mbarë botës për tejkalimin, njëherë e përgjithmonë, të konfliktit shekullor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Tani është koha që të shfrytëzojmë këtë mbështetje për të jetësuar integrimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB.