Thaçi, liderëve partiakë: Flisni me një zë për vizat, përndryshe procesi shtyhet deri në 2020-n
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), sot ka mbajtur konferencë për media, ku ka folur për vizitën në ShBA.
Ai u ka bërë thirrje të gjitha partive politike, liderëve të tyre, që të flasin me një zë për procesin e liberalizmit të vizave.
Thaçi ka thënë se në takimet e shumta që ka pasur në Nju Jork me zyrtarë të ndryshëm, ka qenë temë edhe procesi i liberalizimit të vizave.
Presidenti Thaçi ka bërë me dije se nëse nuk do të jemi si politikanë të bashkuar për procesin e liberalizmit të vizave, ky proces mund të shtyhet deri në vitin 2020.
“Nëse kemi dallime të ndryshme, atëherë liberalizim i vizave mund të shtyhet në 2020-n. Të gjithë duhet ta prezantojmë progresin që kemi arritur. Liberalizimi i vizave është meritë e gjithë qytetarëve dhe jo vetëm e një adresë politike”, ka thënë presidenti.
Ai ka kërkuar që në këtë proces të mos të krijohet konfuzion.
“Askush nuk ka të drejtë ta rrezikojë procesin e liberalizimit të vizave. Është koha e fundit të jemi unik”, ka thënë Thaçi.
/Epoka e re/