Thaçi: Lidhja e Prizrenit ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së kombit tonë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në 140-vjetorin e mbajtjes së saj.
“Në qytetin historik të Prizrenit, më 10 qershor 1878, delegatë nga të gjitha viset shqiptare u mblodhën për ta themeluar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, organizatën më të rëndësishme politike, ushtarake dhe ekzekutive, që nga koha e Skënderbeut. Lidhja Shqiptare e Prizrenit iu kundërvu synimeve për copëtimin e tokave shqiptare, pas dobësimit të Perandorisë Osmane me kryengritje, memorandume dhe forma tjera të rezistencës”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se Lëvizja kulturore e Rilindjes sonë Kombëtare, si vetëdije kulturore dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si vetëdije politike, janë ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit tonë në gjysmën e dytë të shekullit XIX.
“Ideatorët, burrështetasit dhe ushtarakët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi etj., mbeten figura të mëdha historike, frymëzuese edhe pas 14 dekadash”, ka shkruar Thaçi.