Thaçi: Maqedonia e zgjodhi rrugën e integrimeve euroatlantike
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, iu ka gëzuar votimit të mbrëmshëm në Kuvendin e Maqedonisë për ndryshimin e emrit, duke thënë se shteti fqinj e zgjodhi rrugën e integrimeve euroatlantike dhe bëri një hap të madh për forcimin e paqes në tërë rajonin.
“Maqedonia e zgjodhi rrugën e integrimeve euroatlantike dhe bëri një hap të madh për forcimin e paqes në tërë rajonin tonë. Kuvendi i Maqedonisë mbrëmë dha shembullin e bashkimit të të gjitha partive për të mirën e qytetarëve dhe shtetit të tyre. Shteti forcohet dhe integrohet kur të zgjedhurit e popullit marrin vendimet e duhura dhe tejkalojnë interesat politike për interesat shtetërore”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas tij, Republika e Kosovës i gëzohet këtij vendimi shumë të rëndësishëm të shtetit tonë fqinj.
“Paqen dhe stabilitetin në rajon e forcojmë vetëm duke dëshmuar vendosmëri në orientimin euroatlantik dhe duke punuar shumë për integrimin në familjen evropiane”, ka shkruar Thaçi.