Thaçi: Marrëveshja Kosovë-Serbi do të ketë ndikim pozitiv edhe në rajon
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ritheksuar edhe një herë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë është në interesin e të dyja shteteve.
Ai në një konferencë për medie, ka thënë se faza finale e dialogut me Serbinë është proces kompleks dhe mund të sjellë dallime për dhe kundër marrëveshjes.
“Ju informoj edhe për angazhimet e ditëve të fundit për takimet, reflektimet dhe rrethanat e reja për mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare. E kam ritheksuar se marrëveshja Kosovë-Serbi është në interesin e dy shteteve por në të njëjtën kohë ka ndikimin e vet pozitiv edhe në rajon nëse arrihet. Procesi është jashtëzakonisht kompleks dhe i debatueshëm në rrafsh të gjerë, kështu që në kuadër të opinioneve të ndryshme së pari politike opinioneve të sinqerta mund të krijohen edhe divergjenca të ndryshme pro marrëveshjes apo kundër marrëveshjes”, ka deklaruar presidenti Thaçi.
Thaçi ka theksuar se nuk mund të ketë njohje reciproke pa përmbylljen e demarkimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka pohuar se korrigjimi i kufirit i mundëson Kosovës njohje nga Serbia, bashkimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën, si dhe njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së.
/Epoka e re/