Thaçi: Masakra e Tivarit, një ndër krimet më të rënda ndaj shqiptarëve
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar sot një prej masakrave të mëdha të historisë së Kosovës. Sipas tij, masakra e Tivarit është një ndër krimet më të rënda ndaj shqiptarëve në vitin 1945. Thaçi shtoi se të çarmatosur, të uritur, të etur, mijëra shqiptarë u nisën drejt vdekjes së planifikuar nga kreu ushtarak dhe politik jugosllav.
Teksti përkujtimor i tij:
Pas shuarjes së kryengritjes të komandantit Shaban Polluzha, Masakra e Tivarit është ndër krimet më të rënda ndaj shqiptarëve në vitin 1945. Të çarmatosur, të uritur, të etur, mijëra shqiptarë u nisën drejt vdekjes së planifikuar nga kreu ushtarak dhe politik jugosllav. Ky krim u përpoq të minimizohet dhe të heshtet në politika jugosllave dhe serbe në kontekstin e fitores mbi fashizmin, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Por, pavarësisht ngufatjes së gjatë, shqiptarët kurrë nuk e harruan këtë krim monstruoz, për të cilin askush nga ideatorët dhe ekzekutuesit nuk është vënë para drejtësisë.
Masakra e Tivarit hyn në radhën e krimeve kundër njerëzimit, e kryer sot e 75 vjet më parë. HTH