Thaçi: Me çdo kusht do t’i ruajmë marrëdhëniet me SHBA-në
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot kanë zhvilluar një takim me drejtorin kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Erath, si dhe me drejtorin për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley.
Presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj me zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë, John Erath dhe Brad Berkley, kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për situatën politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtarët e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, John Erath dhe Brad Berkley, kanë ripërsëritur qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa duhet të suspendohet me qëllim që të vazhdojë dialogu dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Thaçi i ka siguruar zyrtarët e lartë amerikanë se me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë me SHBA-në.
“Institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin së më shpejt veprime konkrete në përputhje më këshillat miqësore të SHBA-së. Këto vendime duhet të jenë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të bashkëpunimit strategjik me SHBA-në dhe me përkushtimin tonë shtetëror për dialog dhe marrëveshje paqësore”, ka thënë presidenti Thaçi.
/Epoka e re/