Thaçi: Me gjithë vështirësitë, KEK-u po operon në kuadër të objektivave
Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Njazi Thaçi, ka thënë se, pavarësisht prej sfidave me të cilat është duke u përballur kjo korporatë, janë duke operuar në kuadër të objektivave për nxjerrjen e thëngjillit dhe prodhimit të energjisë elektrike.
Duke folur rreth protestës së punëtorëve të kësaj korporate, Thaçi ka thënë se në vazhdimësi ka përkrahur kërkesat e sindikatave, duke theksuar se do të plotësohen kërkesat aty ku ka mundësi. “Të gjithë jemi njëzëri se punëtori është aseti më i rëndësishëm i KEK-ut”, ka thënë Thaçi.
Albulena MAVRAJ
“Epoka e re”: Z. Thaçi, punëtorët e KEK-ut kanë protestuar këto ditë duke kërkuar dhënien e pagës jubilare në vazhdimësi, rivitalizimin e Termocentralit “Kosova A”, rishikimin e Ligjit për paga dhe rritjen e shujtës së ushqimit. Cila është përgjigjja juaj ndaj këtyre kërkesave?
Thaçi: Së pari më vjen mirë që jetojmë në një vend ku çdo pakënaqësi mund të shprehet në rrugë të ndryshme demokratike, pavarësisht nëse ajo pakënaqësi është e drejtë. Së dyti, ndihem mirë që si menaxhment, edhe përkundër vështirësive që kemi pasur, kemi bërë përpjekje të jemi të përkushtuar dhe që ta kemi në top prioritet punëtorin, duke i plotësuar kushtet e punës në aspektin e sigurisë dhe kujdesit. Korporata që drejtoj është shembulli më i mirë në vend duke përmbushur të gjitha obligimet ligjore sa iu përket të drejtave të punëtorëve si në aspektin e të hyrave të punëtorëve, sigurimin shëndetësor, shujtën, transportin, mjetet e sigurisë në punë dhe të gjitha obligimet ligjore. Sa iu përket kërkesave konkrete, në vazhdimësi i kemi përkrahur kërkesat e sindikatave, edhe tani jemi të gatshëm t’i plotësojmë ato kërkesa aty ku ka mundësi. Të gjithë jemi njëzëri se punëtori është aseti më i rëndësishëm i KEK-ut. Në vazhdimësi kam potencuar se falë përkushtimit të djersës së punëtorëve kemi arritur këto suksese duke e bërë KEK-un kompaninë me performancën më të mirë në vend, njëkohësisht duke qenë edhe kontribuuesi më i madh i shtetit. Do të vazhdoj të jem zëri i tyre për realizimin e çdo kërkesë legjitime e cila është brenda rregulloreve të KEK-ut, ligjeve dhe të drejtave tona. Ne duhet t’i shikojmë edhe mundësitë buxhetore, pra se sa rrezikon stabilitetin financiar të korporatës.
“Epoka e re”: Si është duke ecur procesi i prodhimit në KEK dhe a do të ketë reduktime të energjisë në sezonin veror?
Thaçi: Sezoni veror është sezoni i vlugut të punëve përgatitore për sezonin e dimrit, njëkohësisht jemi duke realizuar obligimet tona në prodhim. Pavarësisht prej vështirësive të shumta të cilat janë të njohura, pra nga pjesa e shpronësimeve, pajisjeve të stërvjetruara dhe shumë problemeve të tjera që kishim vitin e kaluar, edhe në sezonin e dimrit por edhe tani kemi një performancë të shkëlqyer duke realizuar objektivat dhe duke tejkaluar ato në të gjitha drejtimet, edhe në pjesën e nxjerrjes së thëngjillit, ku i kemi tejkaluar parashikimet, po ashtu edhe në pjesën e prodhimit të energjisë elektrike. Gjithashtu, me kohë po realizohen të gjitha planifikimet edhe në remonte kapitale, edhe në pjesë të tjera.
“Epoka e re”: Pos këtyre që i cekët, cilat janë sfidat e tjera me të cilat përballeni si korporatë?
Thaçi: Sfidat janë më të ndryshme. Nga vjetërsia e termocentraleve, ku disa prej tyre janë 60 vjet të vjetra, ndërsa e fundit që është instaluar ka 30 vjet prodhim. Sfidë në vetë janë mbajtja e tyre në prodhim për shkak se nuk kemi pasur mundësi të investojmë në kapacitetet e reja prodhuese. Përveç këtyre, sfidë tjetër tani kemi zgjerimin dhe hapjen e mihjes së re e cila ka kosto shumë të lartë dhe e cila planifikohet t’i furnizojë me thëngjill termocentralet për 40 vjetët e ardhshëm. Po ashtu, dhe rivitalizimi i “TC Kosova B” do të mundësonte një operim konform standardeve dhe direktivave të BE-së. Ka edhe shumë sfida të tjera por, falë përkushtimit dhe vullnetit të madh të menaxhmentit dhe të gjithë punëtorëve, besoj se do të realizohen dhe do të vazhdojmë të jemi shembulli më i mirë jo vetëm në Kosovë, por dhe më gjerë sa i përket zhvillimit të këtij sektori.
“Epoka e re”: Meqë jemi në prag të sezonit veror, çfarë bashkëpunimi do të ketë KEK-u me Korporatën Energjetike Shqiptare sa i përket sistemit hidro-termo?
Thaçi: Bashkëpunimi i KEK-ut me Korporatën Energjetike Shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë i mirë. Vazhdojmë të kemi bashkëpunim vëllazëror sa i përket anës së respektit të ndërsjellë dhe shumë të favorshëm për gjithë qytetarët dhe korporatat në aspektin komercial. Po ashtu, me të gjitha kompanitë e tjera në regjion dhe më gjerë jemi të hapur të bashkëpunojmë. Konkretisht me Korporatën Energjetike Shqiptare kemi marrëveshje për shkëmbim të energjisë elektrike dhe ajo është duke funksionuar siç është më së miri. Ky dhe është objektivi im.
“Epoka e re”: Po ashtu, është theksuar edhe planifikimi i investimeve të përbashkëta për krijimin e kapaciteteve të reja energjetike. A kemi ndonjë risi në këtë drejtim?
Thaçi: Kemi dhënë disa propozime, duke përfshirë edhe investimet e përbashkëta në kapacitetet e reja energjetike. Mundësitë janë fantastike edhe si territore, por edhe të pasurive dhe mundësive që kemi në investimet në prodhim të energjisë nga thëngjilli në Kosovë dhe investimet në hidro në Shqipëri. Kjo do të na mundësonte që shkëmbimi i energjisë në sezone të ndryshime ta mbulojë gjithë konsumin në të dy shtetet. Duke qenë se jemi ndërmarrje publike dhe kemi kufizime, këto çështje duhet të kalojnë përmes aksionarit, gjegjësisht qeverisë.
“Epoka e re”: Bllokimi i linjës së interkonjeksionit 400 kilovoltë Kosovë – Shqipëri, çfarë pengesash është duke shkaktuar?
Thaçi: Rrjetat e transmetimit apo bartjes menaxhohen nga një entitet tjetër publik KOSTT dhe nuk na takon neve që të flasim. Ne kemi inkurajuar dhe mbështesim aktivizimin e kësaj linje. Nëse kërkoni mendim timin personal, atëherë unë mund të them se është e pakuptimtë që të ndodhë kjo zvarritje, kur kjo do ta mundësonte rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe përfitues do të ishin të gjitha vendet e rajonit.