Thaçi: Me kohë e kam hedhur poshtë opsionin e ndarjes së Kosovës
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se insistimi i tij për korrigjim të kufijve me Serbinë nuk nënkupton ndarje apo shkëmbim të territoreve.
Ai ka thënë se me kohë e ka hedhur poshtë opsionin e ndarjes dhe të shkëmbimit të territoreve.
“Një mesazh për ata që mendojnë se korrigjimi i kufijve në mënyrë paqësore është ide e keqe, përkundër faktit se e dinë që është mundësia e vetme që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës. Që të jem i qartë: Unë e kam hedhur poshtë me kohë opsionin e ndarjes dhe të shkëmbimit të territoreve. Unë jam duke folur vetëm për korrigjim të kufirit në mënyrë paqësore, dhe atë, në favor të Kosovës. Ndërsa, kundërshtuesit e këtij propozimi, propagandojnë për ndarje dhe shkëmbim të territoreve”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Në këtë kontekst, ka thënë Thaçi se është e domosdoshme e drejta e qytetarëve për të vendosur nëpërmjet referendumit.
“Në një situatë të tillë, vërtet që nuk mbetet rrugë tjetër përveç fuqizimit të vendimmarrjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke iu mundësuar atyre për të vendosur vetë se kush ka të drejtë dhe se cili opsion është në interes të Kosovës. Prandaj, është e domosdoshme që t’ju mundësojmë qytetarëve tanë të drejtën e referendumit, gjë që për të cilën jam duke punuar që të bëhet realitet”, ka shkruar Thaçi.
/Epoka e re/