Thaçi: Ndarja dhe shkëmbimi i territoreve, të papranueshme
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka sqaruar edhe një herë idenë për korrigjimin e kufijve, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi ka theksuar se korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje dhe as shkëmbim të territoreve.
“Këtu ka një keqkuptim të madh të cilin duhet sqaruar. Unë kam propozuar korrigjimin e kufijve si opsion të mundshëm për arritjen e marrëveshjes paqësore përfundimtare. Ndarja dhe shkëmbimi i territoreve janë opsione të papranueshme edhe për mua. Në dy dekadat e fundit, në të gjitha proceset politike Kosova ka dal fitimtare pikërisht se ka besuar në ShBA-në, edhe atëherë kur disa kanë pasur dyshime apo kanë qenë skeptik. Gjithmonë kemi qenë bashkë me Amerikën. Edhe në fazën e fundit të dialogut jemi bashkë. Ne nuk do të befasojmë partnerin tonë strategjik, i cili është meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. ShBA-ja dhe BE-ja janë fuqishëm në mbështetje të arritjes së marrëveshjes dhe janë të koordinuara në mes vete”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se korrigjimi i kufijëve nuk është shpikur nga ai.
“Korrigjimi i kufijve nuk është term i shpikur nga unë, por shumë shtete në botë e kanë përdorur si mjet për të tejkaluar hasmëritë, për të zgjidhur problemet, për të krijuar paqe afatgjate. Këto ditë e kam përsëritur shpesh: korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje, nuk nënkupton shkëmbim të territorit. Po e them edhe ndryshe, korrigjimi i kufijve nuk do të sjellë ndarje të Kosovës. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Gjatë gjithë këtyre vjetëve që kur jemi në dialog, institucionet e Kosovës janë kritikuar pse çështja e Luginës së Preshevës nuk po diskutohet në dialogun me Serbinë. Tash të njëjtit njerëz kërkojnë që t’i mbyllim sytë përballë kërkesës legjitime të tyre për t’ju bashkangjitur Kosovës. Prandaj, kërkesa e jonë është që Kosovës t’i kthehet Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, meqë Serbia nuk ka arritur që t’ju garantojë atyre të drejta, të cilat Kosova iu garantohen serbëve në Kosovë”, ka thënë Thaçi.
Më tutje, Thaçi ka pranuar se ka dallime ndërmjet liderëve të Shqipërisë dhe Kosovës sa i takon dialogut, por ka thënë se statusi i fundit në llogarinë e vet në “Facebook” nuk i është drejtuar ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
“Unë nuk kam çështje të hapura personale me asnjë lider në Shqipëri apo në Kosovë. Mirëpo sigurisht se kemi dallime kur është në pyetje dialogu me Serbinë. Pavarësisht kësaj, unë besoj në drejtësinë historike që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja duhet t’i bashkohen Kosovës”, ka thënë Thaçi.