Thaçi: Në Bruksel do ta kërkoj Luginën, por veriun nuk e japim
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, as që dëshiron t’i dëgjojë për kundërshtimet që vijnë nga spektri politik kosovar rreth idesë për korrigjimin e kufijve me Serbinë.
Ai gjatë një interviste për “RTV Dukagjini”, ka thënë se mbështetja për idenë e tij nga populli është masive, madje siç ka thënë kjo do të vërtetohet edhe përmes referendumit kur të organizohet për këtë çështje.
“Vullneti masiv i qytetarëve të Kosovës është në favor të kësaj ideje, gjithashtu vullneti masiv është edhe i atyre që jetojnë në Luginë të Preshevës që t’i bashkëngjiten Kosovës. Kërkesa e tyre është e drejtë dhe e pranueshme. Në rast se ka pajtim mes dy palëve për këtë kërkesë askush nuk do të jetë kundër, as ShBA-ja e as BE-ja”, tha Thaçi.
Thaçi vazhdon të insistojë se nuk do të ketë ndarje e as shkëmbim të territoreve, pasi këtë e quan ide të vjetër të Akademisë së Shkencave në Serbi, por thotë se po punon fuqishëm për bashkimin e Luginës me Kosovën.
“E ritheksoj, Kosova është një. Është vend i pavarur sovran, nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë shkëmbim, mund të ketë dhe duhet të ndodhë bashkimi i Medvegjës, Bujanovcit dhe Preshevës me Kosovën. Të tjera janë lajme të rrejshme”, ka thënë Thaçi.
Ai ka konfirmuar se në shtator zyrtarisht do ta prezantojë idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.
“Besoj nga shtatori do të ketë diskutim të hapur për këtë çështje, por gjithçka do të jetë transparente. Unë do të flas me qytetarët e Kosovës si dhe do të shqyrtoj seriozisht që për këtë çështje qytetarët të deklarohen me pyetjen në rast janë në favor të bashkimit të Luginës me Kosovën”, ka thënë Thaçi.